Thursday, March 25, 2021

VETEVENDOSJA NUK ESHTE NJE ALTERNATIVE, ESHTE NJE DOMOSDOSHMERI!

                                               A është Kosova një shembull që duhet ndjekur..?____________________

Sa herë që afrojnë zgjedhjet në Shqipëri, jemi mësuar të shohim një mish-mash të madh nëpër qytete, fshatra, nëpër kafene dhe kudo që zien debati politik.
Sigurisht, debatin më të madh për politikën e ndeshim nëpër kafene, më së shumti nga njerëz të thjeshtë, të cilët nuk është se dinë shumë por që e kanë atë maninë e pafajshme për t’u hequr sikur dinë.

(LV - google image)

 

Në fakt, ky nuk është një problem për shoqërinë në Shqipëri, sepse është kthyer në një traditë tashmë, ndonëse shpesh bëhet qesharak dhe kthehet në një thashethemnajë komike. Në fund të fundit, të gjithë kanë të drejtë të flasin, të mendojnë e të hedhin ide. Se mos i pyet kush apo ua dëgjon kush atë që thonë. Në mbarim të garës kuptohet që thjesht është bërë një rreth i cili mbaron pikërisht aty ku ka nisur, tek ajo vetëdija e brendshme e njerëzve, pra te ngritja e një kështjelle prej rëre e cila riprodhon vetveten sa herë që vjen dita e votimeve. Ne Shqiptarët jemi mësuar të mos e dimë rrugën e duhur për të dalë nga ky rreth i cili riprodhon vetveten sa herë që ka zgjedhje, ndonëse shëmbëlltyrën dhe mesazhin e rrethit e kuptojmë. Dhe nuk është faji i pushtetarëve, jo, më besoni për këtë. Ata janë të tillë dhe ne e dimë tashmë, madje kemi krijuar dhe një vetëdije të brendshme për brumin e tyre, për frytet e kësaj politike që vijon në një mënyrë groteske të na vërdallosë pa na dhënë asgjë. Por ne akoma nuk kemi krijuar një vetëdije të brendshme për të gjetur rrugën që të mos formojmë kështjella prej rëre sa herë që kjo lloj demokracie e manipuluar na jep mundësinë të zgjedhim. Nuk jemi ne që zgjedhim. Janë ata që na japin dy ose më shumë alternativa nga i njëjti brumë dhe ne zgjedhim, pa e ditur se gjithmonë po zgjedhim gjysmën e së njëjtës të keqe, sepse tek ne egziston vetëm një e keqe, ndërsa e mira as që ka egzistuar deri tani.
Largimi nga vendi ka mbetur një “zgjidhje” por kjo nuk është zgjidhja e vërtetë e problemit. Është diçka tjetër. Dhe këtë askush nuk mund ta bëjë veçse sovrani, njeriu i lirë dhe bashkimi i të gjithëve për një kauzë të drejtë. E pamë çfarë ndodhi në Kosovë, e pamë se si njerëzit atje u bashkuan dhe në një mënyrë tejet demokratike e kaluan në opozitë kasën e vjetër poltike. Dhe Këtë ndryshim e bënë pikërisht Shqiptarët atje. E po ne në Republikën e Shqipërisë a nuk qenkemi Shqiptarë? Kur Shqiptarët në Kosovë kanë vetëm 13 vjet shtet dhe bëjnë një revolucion të tillë, po ne Shqiptarët këtu që kemi 109 vjet shtet, a nuk mundemi ta bëjmë?
Unë jam i bindur se na duhet një frymë si ajo e Lëvizjes Vetvendosje, përndryshe ndryshimi nuk do të vijë kurrë. Shembullin e kemi te bashkëkombasit tanë në Kosovë, dhe unë mendoj se ky është shembulli më i bukur dhe më historik që ka prodhuar kombi Shqiptar që prej një shekulli e deri tani. E di që për këtë Shqiptarët duhet të krijojnë vlerat e një vetëdije tjetër, që ndoshta kanë pasur frikë deri tani ta mendojnë, ose që nuk kanë ditur ta perceptojnë, por unë gjithashtu e di se kur njerëzit bashkohen për një kauz të madhe, jetike e demokratike, të drejtë dhe patriotike, gjithçka mund të arrihet. Kombet e mëdha janë zhvilluar sepse njerëzit kanë pasur ndjenja patriotike, dhe duke dashur të mirën e vendit e të kombit arrihet ajo e cila deri tani ka qenë në kufinjtë e një ëndrre për ne. Ne duhet të dimë të mos e përkrahim një politikë sepse është filani aty, por ta përkrahim filanin sepse ai është ushtar i një kauze që të gjithë e përqafojnë për të mirën e përbashkët.

| Këndvështrim nga Ervin Hysaj - 22 Mars 2021 |