Showing posts with label AKTUALITET. Show all posts
Showing posts with label AKTUALITET. Show all posts

Thursday, March 25, 2021

VETEVENDOSJA NUK ESHTE NJE ALTERNATIVE, ESHTE NJE DOMOSDOSHMERI!

                                               A është Kosova një shembull që duhet ndjekur..?____________________

Sa herë që afrojnë zgjedhjet në Shqipëri, jemi mësuar të shohim një mish-mash të madh nëpër qytete, fshatra, nëpër kafene dhe kudo që zien debati politik.
Sigurisht, debatin më të madh për politikën e ndeshim nëpër kafene, më së shumti nga njerëz të thjeshtë, të cilët nuk është se dinë shumë por që e kanë atë maninë e pafajshme për t’u hequr sikur dinë.

(LV - google image)

 

Në fakt, ky nuk është një problem për shoqërinë në Shqipëri, sepse është kthyer në një traditë tashmë, ndonëse shpesh bëhet qesharak dhe kthehet në një thashethemnajë komike. Në fund të fundit, të gjithë kanë të drejtë të flasin, të mendojnë e të hedhin ide. Se mos i pyet kush apo ua dëgjon kush atë që thonë. Në mbarim të garës kuptohet që thjesht është bërë një rreth i cili mbaron pikërisht aty ku ka nisur, tek ajo vetëdija e brendshme e njerëzve, pra te ngritja e një kështjelle prej rëre e cila riprodhon vetveten sa herë që vjen dita e votimeve. Ne Shqiptarët jemi mësuar të mos e dimë rrugën e duhur për të dalë nga ky rreth i cili riprodhon vetveten sa herë që ka zgjedhje, ndonëse shëmbëlltyrën dhe mesazhin e rrethit e kuptojmë. Dhe nuk është faji i pushtetarëve, jo, më besoni për këtë. Ata janë të tillë dhe ne e dimë tashmë, madje kemi krijuar dhe një vetëdije të brendshme për brumin e tyre, për frytet e kësaj politike që vijon në një mënyrë groteske të na vërdallosë pa na dhënë asgjë. Por ne akoma nuk kemi krijuar një vetëdije të brendshme për të gjetur rrugën që të mos formojmë kështjella prej rëre sa herë që kjo lloj demokracie e manipuluar na jep mundësinë të zgjedhim. Nuk jemi ne që zgjedhim. Janë ata që na japin dy ose më shumë alternativa nga i njëjti brumë dhe ne zgjedhim, pa e ditur se gjithmonë po zgjedhim gjysmën e së njëjtës të keqe, sepse tek ne egziston vetëm një e keqe, ndërsa e mira as që ka egzistuar deri tani.
Largimi nga vendi ka mbetur një “zgjidhje” por kjo nuk është zgjidhja e vërtetë e problemit. Është diçka tjetër. Dhe këtë askush nuk mund ta bëjë veçse sovrani, njeriu i lirë dhe bashkimi i të gjithëve për një kauzë të drejtë. E pamë çfarë ndodhi në Kosovë, e pamë se si njerëzit atje u bashkuan dhe në një mënyrë tejet demokratike e kaluan në opozitë kasën e vjetër poltike. Dhe Këtë ndryshim e bënë pikërisht Shqiptarët atje. E po ne në Republikën e Shqipërisë a nuk qenkemi Shqiptarë? Kur Shqiptarët në Kosovë kanë vetëm 13 vjet shtet dhe bëjnë një revolucion të tillë, po ne Shqiptarët këtu që kemi 109 vjet shtet, a nuk mundemi ta bëjmë?
Unë jam i bindur se na duhet një frymë si ajo e Lëvizjes Vetvendosje, përndryshe ndryshimi nuk do të vijë kurrë. Shembullin e kemi te bashkëkombasit tanë në Kosovë, dhe unë mendoj se ky është shembulli më i bukur dhe më historik që ka prodhuar kombi Shqiptar që prej një shekulli e deri tani. E di që për këtë Shqiptarët duhet të krijojnë vlerat e një vetëdije tjetër, që ndoshta kanë pasur frikë deri tani ta mendojnë, ose që nuk kanë ditur ta perceptojnë, por unë gjithashtu e di se kur njerëzit bashkohen për një kauz të madhe, jetike e demokratike, të drejtë dhe patriotike, gjithçka mund të arrihet. Kombet e mëdha janë zhvilluar sepse njerëzit kanë pasur ndjenja patriotike, dhe duke dashur të mirën e vendit e të kombit arrihet ajo e cila deri tani ka qenë në kufinjtë e një ëndrre për ne. Ne duhet të dimë të mos e përkrahim një politikë sepse është filani aty, por ta përkrahim filanin sepse ai është ushtar i një kauze që të gjithë e përqafojnë për të mirën e përbashkët.

| Këndvështrim nga Ervin Hysaj - 22 Mars 2021 |

Friday, November 27, 2020

Fshati Austriak i famshëm në të gjithë botën falë emrit të tijë të pazakontë, së fundmi do ta ndryshojë atë..!


Banorët e një fshati Austriak, të cilët prej vitesh kanë qenë pre e “ironive” e shakave të shumta të turistëve nga mbarë bota, si pasojë e emrit të fshatit të tyre, më në fund kanë vendosur ta ndryshojnë atë. 

( Foto: Teller Report )
Fshati i quajtur “Fucking”, duke filluar nga 1 Janari i vitit të ardhshëm do të ndryshojë emër duke u quajtur “Fugging”. Megjithatë janë të shumtë ata, përfishirë disa banorë të vetë fshatit, të cilëve nuk u ka pëlqyer aspak vendimi i autoriteteve lokale për të ndryshur emër.

Kjo sepse, falë emrit të tijë të pazakontë, ky fshat i vogël në veri të Austrisë, vizitohej nga një numër i madh turistësh të huaj. Kjo ka sjellë që ekonomia e bizneseve vendase, (kryesisht suvenireve), të lulëzonte. Megjithatë shpesh herë tabelat udhëzuese në fshat janë vjedhur nga turistët, në vend të suvenireve, po ashtu prej kohësh ky fshat ka qenë pre e ironive në internet si pasojë e emrit që mban. Kjo mendohet të ketë qenë edhe arsyeja bazë se përse autoritetet kanë arritur në një vendim të tillë për të ndryshuar emrin.

| Burimi: Deutsche Welle – Përktheu: Arti i Fjalës, Tiranë, Nëntor 2020 |


Friday, November 20, 2020

Ursula von der Leyen: Dy vaksina anti-Covid mund të autorizohen për përdorim muajin e ardhshëm në Europë..!

 Lajme të mira vijnë nga Brukseli. Bashkimi European do të mund ti japë dritën jeshile për prodhim dy vaksinave anti-Covid nga firmat e mirënjohura “Pfizer” dhe “Moderna” në gjysmën e dytë të muajit dhjetor. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, sipas së ciles gjithҫka do të varet nga vlerësimi që do ti japë agjensia Europiane e medikamenteve këtyre dy  vaksinave në ditët në vijim. 

( Foto: Alphanews)

-     - EMA, (Agjensia Europiane e Medikamenteve), është në kontakt të vazhdueshëm me FDA, (agjensi e ngjashme ne SHBA), për të sikronizuar vlerësimin e efikasitetit të vaksinave dhe, nëse gjithҫka do të rezultojë pa probleme, EMA do të lëshojë autorizimin e nxjerrjes në treg për dy vaksinat  duke filluar nga mesi i muajit dhjetor, - ka deklaruar shefja e Komisionit Europian.

Deri më tani KE ka lidhur kontrata me 5 firma farmaceutike për prodhimin e vaksinave anti-Covid; BionTech, GSK, Sanofi, Astra/Zeneca dhe Pfizer, ndërkohë që janë në diskutim e sipër me Moderna edhe Novavax. Menjëherë sapo rezultatet e para do të jenë të vlerësuara pozitivish nga agjensia Europiane e Medikamenteve vaksinat do të dalin në treg.

         | Burimi: BBC – Përgatiti në shqip “Arti i Fjalës”, Nëntor, 2020 |