Monday, May 4, 2020

MIGJENI - "Vargjet e Lira" (Analiza)

Përmbledhje rreth jetës së Migjenit

Lindi në Shkodër më 13 tetor 1911. Pas kryerjes së shkollës fillore, gjysmë të mesme dhe seminarit ortodoks, punoi si mësues në fshatin Vrakë, në Shkodër dhe në Pukë. Migjeni solli elemente të reja në letërsinë shqipe, sidomos në pasqyrimin ekzistencial të jetës së njerëzve të varfër. Poet dhe prozator shqiptar i shquar i vitit 1930, Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh. Ndikimi i Migjenit mbi rrethet e rinisë përparimtare qe i ndjeshëm në vitet kur shkroi. Një shtysë të posacme mori përhapja e krijimtarisë së tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet 1930 kishin qenë pjesërisht të pabotuara.
Migjeni, poetul tinereții pierdute - Asociația Liga Albanezilor ...
( Foto: MIGJENI - Millosh Gjergj Nikolla )
“Vargjet e lira” është përmbledhja e poezive të tij, ndërsa “Novelat e qytetit të veriut” përmbledhje e prozave, të cilat u botuan vetëm pas vdekjes. Migjeni ishte ndër të rrallët shkrimtarë të kohës, që spikatën amoralitetin kohor, absurditetin e zakoneve të përçudnuara, injorancën e regjimeve despotike. Ndër vjershat më të spikatura mund të përmenden “Të birtë e shekullit të ri”, “Recital i malësorit”, “Kanga e rinisë”, etj. Ndërsa në prozë, “Luli i vocërr”, “Legjenda e misrit”, “… bukën tonë të përditshme falna zot”, etj. Në dhjetor 1937, ai niset për në Itali, për t’u kuruar në senatoriumin San-Luigji të Torinos, pastaj në Spitalin Torre Pellice, ku dhe në një qetësi hyjnore ndërroi jetë më 26 gusht 1938 .

Poezia e Migjenit dhe Vargjet e Lira

Krijimtaria poetike e Migjenit u zhvillua kryesisht brenda tre viteve 1932-1935.
Migjeni shprehu pakënaqesite e tij rreth realitetit shoqëror të asaj kohe. Dha pamje tronditëse, të klasave të shtypura dhe të shfrytëzuara. Në krijimtarinë e tij, për herë të parë përftohen figura dhe portrete të plota e shumë të fuqishme të malësorit e punëtorit, të gruas shqiptare e cila ishte viktimë e një shfrytëzimi të dyfishtë.
Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Atë e indinjonte së tepërmi hendeku i thellë i pabarazisë midis klasave. Kjo e shtyu të pasqyronte varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot’, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni ?”, etj. Dënoi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit. Me anë të hiperbolave dhe groteskut përshkruan përfaqësuesit e klasave të pasura dhe shfrytëzuese. Dha idetë e tij për një shoqëri ndryshe. Më të barabartë, pa shfrytëzim të njerëzve. Ai i përkrahte të rinjtë me idenë revulocionare per të ndryshuar vendin. I shtynte të merrnin guximin për të vepruar.
Revolta e hapur, vuajtjet e thella dhe optimizmi janë tipare karakteristike të poezisë së tij, e cila shquhet për konceptimin dhe sistemin origjinal të figuracionit. Ai trajtoi vjershën dhe poemën pa subjekt me varg të lirë, që karakterizohet për mendimin sintezë dhe sistemin figurativ, ku dallohet antiteza, simboli dhe alegoria.
Në themel të veprimtarisë së Migjenit qendron aspirata për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Ky humanizëm aktiv përshkon veprën e tij. Në poezitë e para, si “Zgjimi”, “Te birt’ e shekullit të ri”, “Shkëndija”, “Shpirtënit shtegtarë”, etj, pakënaqësia e thellë ndaj realitetit çifligaro-borgjez dhe ëndrra e autorit për një të ardhme të bukur u shpreh me figura të gjalla romantike. Poeti u ngrit kundër amullise shoqërore dhe forcave që mbanin vendin në errësirë (“kalbësinave që kerkojnë shejtnim”). Kritika e rreptë e gjendjes së rënde të vendit u gërshetua në këto vepra me dëshirën e zjarrtë për “një agim të lum e te drejtë kombëtar”, me grishjen për të luftuar për ditë dhe më të bukura.
Sic e dimë, tema kryesore e Migjenit ishte “mjerimi”, i cili është përshkruar dhe paraqitur në mënyrën më realiste të mundshme. Duke shfryrë dhimbjen qe i jep mjerimi, autori përshkruan figura, njerëz dhe ngjarje të mbërthyera nga një trishtim i thellë. Ai, mjerimin dhe skamjen, nuk e sheh në anën sipërfaqësore, po e shikon në të gjitha aspektet, në atë fizik, shpirtëror, moral e shoqëror.
Pasqyrimi i varfërisë së thellë të masave zë vend qendror në të gjitha botimet e Migjenit. Për shkrimtarin kishte rëndësi të madhe shoqërore që të dilte në dritë sa më qartë humnera e vuajtjeve, ku e kishte hedhur popullin regjimi reaksionar. Heronjtë e veprave të tij më të mira ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës, malësorë që qëndronin në zgrip të jetës, të mjerë që nuk u kishte ecur në jetë dhe ishin flakur jashtë shoqërisë.
Migjeni goditi haptazi dhe me forcë artin dhe shtypin zyrtar (“Kanga skandaloze”,  etj.)

Të dhënat kryesore rreth veprës

Struktura: Struktura ciklike e veprës me emërtimet e saj krijon nje rend logjik e tematik të poezive. Në secilin cikël del emërtimi kangë për poezinë , që është një emërtim tradicional: Parathanja e Parathanjeve si hyrje, Kanget e ringjalljes, Kanget e mjerimit, Kanget e perndimit, Kange ne vete, Kanget e rinise, Kanget e fundit.
Titulli: Titulli i veprës ka kuptim të dyfishtë: vargje të lira në mënyrën e ndërtimit të tyre, dhe vargje të lira në vështrimin e lirisë tematike. Që në titull del vetedija e autorit se po krijonte një poezi tjetër nga rrjedha e poezisë së kohës.
Tematika: Kemi : shkëputja nga trajtat formale e tematike të poezisë shqiptare të kohës. Mungon tematika atdhetare apo kombëtare. E kaluara preket vetëm si reflektim në aktualen, por jo si temë e vecantë . Temë zotëruese bëhet tema shoqërore e kohës si dhe dhimbjet personale të lidhura me kohën.
Toni poetik: Nëpërmjet tonit polemizues Migjeni i kundërvihet traditës së shkrimeve romantike. Qoftë në nëntekstin poetik apo atë të prozës qendron një ironi e fshehur, që synon te sarkazma: gjë të cilën Migjeni nuk ia kurseu as vetvetes. Duke e ndjekur njeriun në luftën e tij për ekzistencë Migjeni, si asnjë poet tjetër, shembi të gjitha kultet fetare, politike, atdhetare dhe morale.

Ndarja e këngëve.

  • Kanget e pakendueme: Në këtë cikël Migjeni e shikon artin e poezisë si nje mundim të thellë psikologjik, dhe realizimin e krijimit një shpërthim të mundshëm. Ai është i vetëdijshëm që poezia e tij do të shfaqë nje rebelizëm të përmbajtur : …e unë jam vullkani që fle i fashitun.
  • Kanget e ringjalljes: Ideja e zgjimit do të hedhë idenë e lindjes së një njeriu të ri, që do të mëkembë një Kohë të Re. Ky njeri i ri do të zgjojë ndërgjegjet e fjetura njerëzore për njohjen e vetvetes, të jetës e të lirisë. ( Shpirt’ I ri, Pesha e fatit )
  • Kanget e mjerimit: I gjithë cikli i këngëve të mjerimit, ku bëjnë pjesë shumica e poezive Migjenit ( Poema e mjerimit , Baladë qytetse, Lagja e varfun, Melodi e keputun ) është i ndërtuar me dy lloje shprehësish poetike: me një shpërthim të revoltës së poetit, që kërkon veprim, dhe me një tërheqje të tij, abstenim. Në këtë cikël futen edhe poezitë e rebelimit poetik të Migjenit kundrejt pamjeve të tmerrshme të jetës. Këto janë poezi të kundërshtimit, qoftë kur ai grindet me vetveten, qoftë kur guxon apo tërhiqet: ( Recital’ I malsorit, Blasfemi, Kanga skandaloze ). Kudo theksohet dëshira, malli për veprim, por edhe vetëdija për pamundësinë e veprimit.
  • Kanget e Perendimit: Në këtë cikël do të ndërtohet besimi i ri apo besimi i rigjetur dhe do të tingellojë i fuqishëm dhe ekzaltues rasti i ri fe e cmendun e Perndimit te mrekullueshem…, ku…I egzaltuem shklet njeriu ne delirium te pakuptueshem. Kjo është ëndrra e kapërcimit të pengesave, për një liri që gjendet tjetërkund dhe ku dalin vera të reja njerëzore.
  • Kanget e rinise: Këto shpërthime shpirtërore marrin trajta të ekzates së pranverës, të nostalgjisë rinore; femra për Migjenin është e paarritshme dhe dashuria për të mbetet e parealizuar. Gruaja është hyjni apo kob? Edhe kjo do të mbetet një alternativë e fundit dhe e pazgjidhur për Migjenin.
  • Kanget e fundit: Mbahen si poezitë më të fuqishme të Migjenit, të shkruara kur poeti po lëngonte rëndë nga sëmundja. Ato nuk janë me shprehje të jetës, por përshkrim i ngadalshëm i vdekjes. Vetë titujt e vjershave: Nje natë pa gjumë, Vuejtja, Frymezim’ I pafat, Kanga qe s’kuptohet, Vetmia, Nen flamujt e melankolise japin poetikisht shkallët e rënies së poetit.

Analizë e “Poemës së Mjerimit”

Për sa i përket ciklit të Këngëve të Mjerimit ai është ndërtuar në dy lloje ligjërimesh poetike. Ka një grup këngësh ku mbizotëron revolta politike (Poema e Mjerimit, Recitali malesorit, etj) dhe një grup këngësh të tjera, ku mbizotëron tërheqja e poetit, i cili vetëm konstaton dhe ironizon therazi (Balade qytetase, etj).
Në “Poemën e mjerimit”, veprën e tij më të shquar, Migjeni përshkroi në tablo të gjallë dhe rrëngjethëse të gëlltitjes së vështirë të masave të shtypura dhe të shfrytëzuara, të venitjes së tyre fizike nën grushtin e mjerimit, që sundonte në vend dhe mbrohej nga monarkia çifligaro-borgjeze.
Migjeni tregon haptazi se cdo të thotë të jesh në skamje. Ai përdor figurën e metaforës dhe epitet për të shprehur këtë mjerim. Shohim që e përshkruan me këto fjalë -> Ftyra të zbehta, sy të jeshilta, të shikojnë si hije, duert të mpita, me zhele, të shëmtueme, të ndyta, të verdha.
Në këto vepra shohim qartë edhe fshikullimën që ai i jep fesë. Duke thënë -> e mbi ta n’ajër, si në qesendi, therin qiellin minarete e ngurta, profetenet dhe dhejtenet në fushëta të shumëngjyrta shkelqejnë, e mjerimi mirfilli ndien tradhëti.
Migjeni do të tregojë se kjo varfëri, kjo skamje, trashëgohet brez pas brezi dhe nuk e lë njeriun të shijojë jetën e tij. Ai thotë që : Mjerimi pjek femin para se të burrnohet.
Poeti e kap mjerimin në sfera të ndryshme, atë fizik, shpirtëror dhe moral.
Sipas autorit pasojat që mjerimi shkakton janë:
  • përbuzja, lind i paditur
  • sjell trashëgimi të përcunduar
  • shkatërrim të dashurise amësore
  • shkatërron femijëritë dhe ëndrrat e saj
  • shkatërron vlerat dhe moralin
  • e con njeriun në depresion
Kafshatë që s'kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta
që t'shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
të tan jetën e vet derisa të vdesin.

e mbi ta n'ajri, si në qesendi,
therin qiellën kryqat e minaret e ngurta,
profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta
shkëlqejnë. e mjerimi mirfilli ndien tradhti.
mjerimi ka vulën e vet t'shëmtueme,
asht e neveritshme, e keqe, e turpshme,
balli që e ka, syt që e shprehin,
buzët që më kot mundohen ta mshefin -
janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,
t'mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës
mbi t'cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm
me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.

mjerimi s'ka fat. por ka vetëm zhele,
zhele fund e majë, flamujt e një shprese
t'shkyem dhe të coptuem me t'dalun bese.

mjerimi tërbohet n'dashuni epshore.
nëpër skaje t'errta, bashkë me qej, mij, mica,
mbi pecat e mykta, t'qelbta, t'ndyta, t'lagta
lakuriqen mishnat, si zhangë; t'verdhë e pisa,
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,
kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta
edhe shuhet uja, dhe fashitet etja
n'epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.
dhe aty zajnë fillin t'marrët, shërbtorët dhe lypsat
që nesër do linden me na i mbushë rrugat.

mjerimi në dritzën e synit t'kërthinit
dridhet posi flaka e mekun e qirit
nën tavan t'tymuem dhe plot merimanga,
ku hije njerzish dridhen ndër mure plot danga,
ku foshnja e smume qan si shpirt' i keq
tu' ndukë gjitë e shterruna t'zezës amë,
e kjo prap shtazanë, mallkon zot e dreq,
mallkon frytn e vet, mallkon barrn e randë.
foshnj' e saj nuk qesh, por vetëm lëngon,
e ama s'e don, por vetëm mallkon.
vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit
ku foshnjën përkundin lot edhe të fshamit!

mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive
të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis,
ku nuk mund t'u prishet qetsia zotnive
kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis.

mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet,
don ta msojë t'i iki grushtit q'i kërcnohet,
atij grusht që n'gjumë e shtërngon për fytit
kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit
dhe fetyrën e fëmis e mblon hij' e vdekjes,
një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes.
nji fryt kur s'piqet dihet se ku shkon
qashtu edhe fëmia n'bark t'dheut mbaron.

mjerimi punon, punon dit e natë
tu' i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
tue u zhigatun deri n'gjujë, n'baltë
e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë.
shpërblim qesharak! për qindenjë afsh
në ditë - vetëm: lekë tre-katër dhe "marsh!".

mjerimi kaiher' i ka faqet e lustrueme,
buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme,
trupin përmendore e një tregtis s'ndytë,
që asht i gjikuem të bijë në shtrat vet i dytë,
dhe për at shërbim ka për të marrë do franga
ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.

mjerimi gjithashtu len dhe n'trashigim
-jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme,
por eshtnat e shtrembta e n'gjoks ndoj dhimbë,
mund që t'len kujtim ditën e dikurshme
kur pullaz' i shpis u shemb edhe ra
nga kalbsin' e kohës, nga pesha e qiellit,
kur mbi gjithçka u ndi një i tmerrshmi za
plot mallkim dhe lutje si nga fund i ferrit,
ish zan' i njeriut që vdiste nën tra.
kështu nën kambët'randë t'zotit t'egërsuem -
thotë prifti - vdes ai që çon jetë të dhunuem.

dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash
mbushet got' e helmit në trashigim brezninash.
mjerimi ka motër ngushulluese gotën.
në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale
të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën
n'fyt për me harrue nandhetenand' halle.
e gota e turbull, gota satanike
tu' e ledhatue e pickon si gjarpni-
dhe kur bie njeriu, si gruni nga drapni,
nën tryezë qan-qeshet në formë tragjikomike.
tê gjitha hallet skami n'gotë i mbyt
kur njiqind i derdh një nga një në fyt.
mjerimi ndez dëshirat si hyjet errsina
dhe bajnë tym si hejt q'i ban shkrum shkreptima.

mjerimi s'ka gëzim, por ka vetëm dhimba,
dhimba paduruese qe t'bajnë t'çmendesh,
që t'ap in litarin të shkojsh fill' e t'varesh
ose bahe fli e mjerë e paragrafesh.

mjerimi s'don mshirë. por don vetëm të drejt!
mshirë? bijë bastardhe e etënve dinakë,
t'cilt n'mnyrë pompoze posi farisejt
i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak
tu' ia lëshue lypsiti një grosh të holl' n'shplakë.

mjerimi asht një njollë e pashlyeme
n'ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme
ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj.

Analizë e “Një nate pa gjumë”

Kjo poezi eshte si nje klithje deri ne skaj e te vetmuarit. Ketu poeti shpreh ankth, nuk gjen qetësi e ndihet i vetmuar. Kjo lidhje shqipëtohet si: thirrje universale dhe thirrje e përcaktuar. Thirrja e poetit del në dy forma: lutje për qetësi personale dhe vullnet e shpresë për ndryshime.
Poeti e quan veten burrë i tretun, kjo shpreh zbrastinë e tij shpirtërore dhe vetminë. Ai e shikon veten të paaftë, pa forcë për të bërë ndryshimet që nevojiten.
Simboli i gjelit është i pranishëm në disa vepra të Migjenit, ku ka funksion ironizues. Nënteksti i poezisë fsheh notat tragjike të vetë jetës së Migjenit që po shuhet nga sëmundja.
Ai e shikon që është afër fundit të tij dhe e kupton se nuk ka më se cfarë të japi për të ndryshuar dicka. Askush smë ndijon, cirrem kot më kot… Por më në fund, poeti nuk e shikon më shpëtimin tek drita por tek jastiku.
Poeti është në dilemë gjatë gjithë kohës. Ai vendos kundërvënie të forta perballë njëra-tjetrës kur thotë: më dhemb e sdi cmë dhemb, urrej e sdi c’urren, don e sdi sec don. Në poezi mbizotërojnë toni thirror, përsëritja e fjalëve, shkallëzimi i dhimbjes që përforcon vetminë.

Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla.
Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen,
kur të dhemb e s'di ç'të dhemb, e syni gjum nuk ka,
urren nuk din ç'urren, don e s'din se ç'don.
Pak dritë! 0 burrë! 0 hero' ngado që të jesh. ....
Burrë që shkatrron edhe që ndërton sërish!
Pak dritë vetëm, të lutem, mshirë të kesh,
se do çmendem në kët natë pa gjumë dhe pa pishë.
Oh! ta kisha pishën të madhe edhe të ndezun!
Me flakën e pishës në qiellin e ksaj nate
ta shkruejshe kushtrimin... Ehu Burrë i tretun
Do ta shifsha vallen tande në majë të një shpate.
Porpishë nuk karn e vetëmjanë burrat, shokët...
Dergjem n'errsin pa gjumë dhe pa dritë...
Askush s'më ndigjon, çirren kot më kot...
Hesht more, hesht! por qindro, o shpirt.
Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita
- Gjel, rren a s'rren? cila asht fjala ejote?
Kur ti këndon thonë se asht afer drita...
Por un s'besoj sonte në Çalët e ksaj bote.
Hiqmuni qafe, mendimet
Ojastëk ty të rroki, të përqafoj si shpëtimin,
më fal atë që due: gjumin dhe andm'min
e dy buzve që pëshpërisin ngushllimin.
 
 | Burimi: www.12vite.com (përgatitje për shkollën e lartë) |

No comments:

Post a Comment