Friday, May 15, 2020

"Një teatër komik me fund tragjik: TIRANA..."


Prej 30 vitesh tashmë, nga teatri “Tiranë” i Shqipërisë sonë të dashur, vihen në skenë dramacitete nga më djallëzoret, shumëfytyrëshe, të pakuptimta për publikun e thjeshtë, saqë askush nuk mund të përcaktojë me saktësi se ҫfarë lloj arti paraqesin. Një gjë është mëse e sigurt; janë të epokës postmoderne, aktuale, të përditësuara me kujdes dhe të zgjedhura enkas për të tërhequr vëmendjen e shumicës dërrmuese  qytetare, sigurisht duke mubushur në këtë mënyrë xhepat e pseudo-aktorëve me role politikbërësve. 
 
Një ndër shfaqjet që është vënë në skenë që prej dy vitesh tashmë edhe ende vazhdon turin e saj artistik, është me temë: “Teatri, ta shembim...!?”
Duket se ky subiekt, ashtu siҫ prej 30 vjetësh ndodh në Shqipëri, i ka ndarë aktorët në dy kategori; ata që duan shembjen  e teatrit edhe ndërtimin mbi rrënojat e tij e një të riu, edhe ata që nuk e duan këtë gjë, por rikthimin e tij në funksion. Te parët dalin në skenë me argumentin se teatri është i vjetëruar tashmë, shfaqjet moderne duan një vënd modern dhe se ky i sotmi nuk i përmbush kërkesat për të vazhduar rrugëtimin e tij si i tillë. Të dytët hidhen në skenë me pankarta se teatri duhet mbrojtur, ai është pjesë e një trashgimie kulturore edhe bashkë me të do të shembeshin edhe vlerat e shumë artistëve, madje edhe e atyre të ‘rinjëve’ që ëndërrojnë të ‘luajnë në skenë veprat e tyre’ një ditë në të... 

Aq interesante duket kjo shfaqje saqë është luajtur e riluajtur rregullisht për dy vite që nga lanҫimi i saj. Aktorët gjejnë mënyra nga më tërheqëset, nga më komiket të mundëshme, për ta mbajtur ndezur dëshirën e publikut.  Disa prej tyre marrin vendime e ҫekiҫë NATËN për ta shembur, e të tjerë zgjohen e dalin në rrugë me pizhama NATËN për ta mbrojtur atë. Duket sikur ‘’ditën’’ diҫka i tremb të dyja palët.... 

Spektatorët...  Po, po! Aktorët nuk bëjnë dot pa spektatorët; po aq sa i duan, ata janë edhe të frikësuar prejt tyre, prandaj shfaqja duhet të jetë perfekte.  Ata e veshin skenën me nota komike, i japin interpretimit të tyre shijen e një klouni qesharak, vetëm e vetëm që publiku të mund të qeshë sadopak, të harrojë të gjitha problemet e ditës e të gjejë pak paqe ‘’natën’’, ndërsa shfaqja del në skenë e njerëzia qesh, me lot në sy. Në këtë moment perdja mbyllet e gjithҫka mbetet është serisht shija e një fundi tragjik ndaj së keqes që pritet të ndodhë. Siҫ edhe populli vetvetes i thotë një shprehje: ‘’ mos qesh shumë, se do të qash pastaj ‘’...  

Personalish, si një ndër të shumtët ndjekës shembullorë të këtyre shfaqjeve, jam i mendimit se të vetmit  që mund të përfitojmë nga “shembja e këtij teatri tragji-komik” jemi ne, spektatortët e tij. Mirpo fatkeqësisht, kjo duket si një ëndërr e largët, sepse, me apo pa godinën në fjalë, teatri i Tiranës sonë të dashur ka për të vazhduar rrugëtimin e tij njësoj si në këto 30 vitet e fundit...

| Këndvështrim nga:  Donald Bezhani – Arti i Fjalës, Tiranë, 2020 |  

No comments:

Post a Comment